
Rritja e kapaciteteve prodhuese të HEC dhe impianteve diellorë, OSSH tender për fuqizimin e rrjetit
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka prokuruar një kontratë me vlerë rreth 1.5 milionë euro për të siguruar pajisje elektrike në funksion të fuqizimit të rrjetit.
Bëhet fjalë më tepër për nënstacionet të cilët, për shkak të ngarkesës në rritje, mund të kenë nevojë për zëvendësime apo fuqizim të tyre.
Në argumentimin që i bëhet procedurës prokuruese OSSH, dhe konkretisht Drejtoria e Tensionit të Lartë nënvizon se në një pjesë të zonave nënstacionet dhe rrjeti janë të vjetra, ndërkohë që rritja e kapaciteteve prodhuese e bën të vështirë përballimin.
“Ky furnizim ka si qëllim blerjen e pajisjeve elektrike për N. Stacionet elektrike të shpërndarjes në tension të lartë e të mesëm për ambiente të jashtme, të cilat janë të rëndësishme për N.Stacionet elektrike si në raste defektesh, dëmtim pajisjesh apo linjash elektrike TL/TM, për shkak të kushteve të vështira në të cilat ato operojnë si pasojë e viteve të gjata të punës 50-60 deri edhe në 70 vjet përdorimi, por edhe nga ngarkesat për shkak të prodhimit të energjisë elektrike mbi parametrat teknikë të lejuar, si nga HEC privatë ashtu edhe panelet diellore”, thuhet në dokument.
Sipas OSSH, ndërtimi i shumë HEC lokale dhe lidhja e tyre në rrjetin e Sistemit të Operatorit të Shpërndarjes është një fenomen i cili ka filluar herët, por që ka pasur një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit, për shkak të prodhimit të energjisë së pastër, dhe njëkohësisht parashikohet që edhe në vitet e ardhshme ky sektor do të ketë pothuajse të njëjtin zhvillim në rritje, duke pasur parasysh rëndësinë e energjisë së pastër si kriter edhe nga Komuniteti Europian.
“Problematikat e shfaqura me parametra teknikë jashtë standardeve, siguria e furnizimit me energji elektrike, siguria e operatorëve në punë gjatë kryerjes së manovrave shfaqet nga prodhuesit e energjisë elektrike nga HEC lokale në zona të ndryshme të rrjetit shpërndarës TL dhe N.Stacionet elektrike të shpërndarjes në zonat si më poshtë:
- Suç – Bulqizë – Shupenzë – Vojnik – Peshkopi.
- Cerrik – Radiostacioni – Mjekës – Banjë – Cerrujë – Gramsh.
- Gjanç – Rehovë.
- Lozhan – Maliq – Korçë.
- Kukës.
- Vukpalaj, Malësi e Madhe.
- Smokthinë – Kuç etj.
Gjithashtu edhe prodhimi i energjisë elektrike nga impiantet fotovoltaike, duke pasur shumë projekte dhe licenca për prodhues me fuqi mbi 2MVA dhe ato të reja 20/25MVA etj., të cilët kërkojnë të lidhen në rrjetin 35kV të OSSH, sidomos në zonën e bregdetit Karavasta – Hoxharë – Mifol, por edhe në zona të tjera të vendit, etj., kërkojnë domosdoshmërinë e pasjes në çdo kohë të pajisjeve rezervë në rast dëmtimi të atyre ekzistueseve, si në nivel tensioni 110kV edhe në atë 35kV, por edhe rritjen e sigurisë për mbrojtjen e pajisjeve elektrike në N.Stacione në këto zona”, vlerëson OSSH. /Monitor(https://monitor.al/rritja-e-kapaciteteve-prodhuese-te-hec-dhe-impianteve-diellore-ossh-tender-per-fuqizimin-e-rrjetit/)
Më të lexuarat








